Mirëmenaxhimi i ujësjellësit të Tiranës do të bëhet në bashkëpunim me Pulian, është shprehur kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë pritjes së presidentit rajonal të Pulias, Michele Emiliano.
Kryebashkiaku Veliaj tha se miratimi i projekteve të programit INTERREG për bashkëpunim mes Ujësjellësit të Pulias dhe atij të Tiranës, i hap rrugë investimeve të rëndësishme në këtë sektor, për t’i dhënë fund shqetësimit të qytetarëve për furnizimin me ujë të pijshëm.
“Lajmi i parë i mirë ka të bëjë me miratimin e projekteve INTERREG, për bashkëpunim midis Ujësjellësit të Pulias dhe Ujësjellësit të Tiranës. Në fakt, qëllon që dy ujësjellësit tanë janë ata që performojnë më mirë në vendet respektive. Ashtu siç po bëjmë me BERZH-in për të marrë kredi për dy investime të rëndësishme, ashtu do të vazhdojmë edhe masterplanin me Ujësjellësin e Pulias, për t’u siguruar që Tirana ka shërbimin më të mirë, edhe në këtë fushë, ashtu siç ka shërbimin më të mirë në fushat e tjera”, tha Veliaj.
Kreu i bashkisë vlerësoi performancën e treguar nga Ujësjellës-Kanalizime Tiranë për eliminimin e avarive në rrjetin e shpërndarjes së ujit të pijshëm te konsumatorët, si dhe në administrimin e të ardhurave. Veliaj theksoi se falë mirëmenaxhimit të këtij sistemi, është bërë i mundur dyfishimi i furnizimit me ujë të pijshëm i banorëve të kryeqytetit.
“Pavarësisht problemeve, sot kemi Ujësjellësin më të mirë në Shqipëri. Kemi dyfishuar furnizimin me ujë dhe kemi një rrjet shumë më të gjerë, që po përfshin edhe zonat informale. Kemi më shumë abonentë dhe kemi një rekord të korrektesës, që qytetari i Tiranës ka ndaj ujësjellësit”, tha ai.
Ndërkohë, rajoni i Pulias do t’i bashkohet nismës së Bashkisë së Tiranës në projektin ambicioz për krijimin e “Pyllit Orbital”, që do të rrethojë kryeqytetin me një brez të gjelbër me 2 milionë pemë. Në shenjë miqësie mes dy vendeve, rajoni i Pulias do të dhurojë pemë për Tiranën, duke rritur sipërfaqen e gjelbër.
Top Channel