Administrata e Donald Trump kërkon shitjen e aseteve të tilla si “CNN”, përpara se të miratojë shkrirjen 85 miliardë dollarëshe të “Time Warner” me “AT&T”.
Lajmi vjen në vazhdën e komenteve të një drejtuesi të “AT&T”, i cili pohoi se nuk pret që marrëveshja të mbyllet këtë vit.
Autoritetet e konkurrencës e kanë mbajtur nën vëzhgim një bashkim të tillë, që kur ai u njoftua për herë të parë në vitin 2016.
Kritikët, të cilët përfshijnë edhe vet presidentin Trump, argumentojnë se një lëvizje e tillë mund ta përqëndrojë shumë fuqinë e medias. Blerja e propozuar nga “AT&T” do të kombinonte forcën e saj, si një prej ofruesve më të mëdhenj të televizioneve kabllorë në SHBA, me aftësitë argëtuese të “Time Warner”.
Përpos mëmës së “CNN”-it, “Turner Broadcasting”, “Time Warner” zotëron edhe studion filmike “Warner Bros” dhe “HBO”.
Në një konferencë në Nju Jork, drejtuesi financiar i “AT&T”, John Stephens tha se nga ky kombinim ka lloj-lloj përfitimesh, e vuri në dukje se qeveria nuk i ka bllokuar veprime të tilla në dekada të tëra.
Por ai u shpreh para investitorëve se firma nuk është më e sigurtë për kohën se kur do të ndodhë, mes diskutimeve aktive me Departamentin e Drejtësisë, rregullatorët e të cilit janë përgjegjës për shqyrtimin e propozimit.
Që shkrirja të realizohet, nevojitet “drita jeshile” e qeverisë, e nëse ajo do t’i bëjë rezistencë këtij bashkimi, atëherë “Time Warner” dhe “AT&T” mund ta çojnë çështjen në gjyq.
Top Channel