Presidentin Donald Trump nuk e ndan dot asgjë nga “Twitter”-i i tij. Edhe gjatë qëndrimit në Kinë, ku ai ndodhet në kuadër të turit të tij aziatik, ai ka bërë disa postime në rrjetin social, pavarësisht se një gjë e tillë bie ndesh me ligjin kinez.
Platforma e medias sociale është një nga shumë sajte perëndimore, përfshirë Facebook dhe Youtube, që në Kinë janë bllokuar nga “firewall”-i i madh i vendit.
Ky emër i është vendosur një sistemi të sofistikuar që është ndërtuar për të penguar përdoruesit e internetit në Kinë të kenë qasje te përmbajtjet e bllokuara.
E pyetur nga një gazetar, nëse Kina e sheh përdorimin e hapur të “Twitter”-it nga ana e presidentit amerikan në Pekin, si një shkelje të ligjit, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze tha se ka një mori kanalesh të tjera, nga ku njerëzit në Kinë mund të komunikojnë me botën e jashtme.
“Ju jeni të shqetësuar për Twitter, por unë ju them se në Kinë, njerëzit kanë një mori kanalesh për të komunikuar me botën”, tha zëdhënësja.
Donald Trump bëri një postim në “Twitter” natën vonë, ndërsa ndodhej në Pekin, ku falënderonte mikpritësit e tij për vizitën në qytetin e ndaluar dhe darkën private në kompleksin shekullor.
Trump madje ndryshoi edhe foton e profilit, duke vendosur një të re, ku ai shihej bashkë me Melanian, presidentin kinez dhe bashkëshorten e tij. Shumë të huaj futet përmes rrjeteve private virtuale, ose VPN, për të pasur qasje në sajtet e ndaluara në Kinë. Një tjetër opsion është të bësh pajtimin për shërbimin “Roaming”.
Top Channel