Hahni dhe “kazani”, çfarë nuk u tha sot në konferencë

09/11/2017 19:43

Liria e medias është një kriter i rëndësishëm për vlerësimin demokratik të një vendi. Dhe vlerësimi demokratik i një vendi që kërkon të hyjë në Bashkimin Europian është pjesë e kritereve të Kopenhagenit, një mur i pakalueshëm për çdo kandidat për familjen europiane.

Shpesh Brukseli ka qenë kritik ndaj sektorit mediatik në Shqipëri, duke nënvizuar pavarësinë e saj, lirinë për shkak të presionit të interesave ekonomik të pronarëve. Sot komisioneri Hahn, në një konferencë të rëndësishme për të cilën jo rastësisht ishte zgjedhur Tirana, këmbënguli tek besueshmëria e mediave dhe tek kujdesi nga fenomene të reja si “fake news”.

Të njëjtën gjë në fakt përmendi edhe kryeministri Rama, i cili ama shkoi shumë më larg kur etiketoi mediat dhe gazetarët, ashtu siç ka bërë edhe javët e fundit. Por në sy të komisionerit Hahn, ai nuk përmendi më fjalët kazan mediatik, as ripërsëriti epitete si idiotë, të paaftë, injorantë, shprehje më të cilat gazetarët ndeshen rëndom gjatë punës me të.

Gjithashtu konferenca për lirinë e medias dhe konferenca për shtyp me komisionerin Hahn, nuk u transmetua siç transmetohen rëndom aktivitetet e tij, ekskluzivisht vetëm përmes kanalit të tij personal televiziv ERTV, por pati edhe kamera te tjera. Kryeministri kërkoi sot që t’i rikthehet medias liria e saj, por këtë duhet të fillojë ta bëjë nga vetja.

Të pranojë se kur i bëhen pyetje, ai s’mund t’i përgjigjet me fyerje, të pranojë se nuk ka pyetje, por vetëm përgjigje të këqija. Kryeministri e di mirë se fyerja nuk mund të jetë më vepër penale, pavarësisht se ai kërkon kthimin e saj si të tillë. Sepse këtë e pengon pikërisht Komisioni Europian. Kryeministri duhet të pranojë se ai dhe jo mediat, paguhen me taksat e shqiptarëve dhe se misioni i tyre është pikërisht të ruajnë sesi këto taksat përdoren apo shpërdoren.

Kryeministri e di, ashtu si edhe ata përpara tij, se lajmësi nuk goditet dhe këtë e thotë jo vetëm BE, por edhe kanuni qindra vite më parë. Dhe nëse qeveria i bën mirë detyrat e shtëpisë edhe për lirinë e shprehjes, atëherë po, le të shohim se ku janë edhe problemet tona. Por siç thoshte Ronald Reagan, problemi gjithmonë është qeveria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA