SHBA, një vit me presidentin Donald Trump

08/11/2017 15:13

Data 8 nëntor 2017 shënon një vit që nga fitorja e papritur e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale, që e bëri atë presidentin e 45-të të Shteteve të Bashkuara.

Në një vit, që nga dita e fitores, Presidenca e tij është shënuar nga ulje dhe ngritje. Trump bëri betimin në detyrë më 20 janar dhe mbajti një fjalim betimi që kishte dukshëm ngjyrat e një thirrjeje populiste dhe nacionaliste.

Biznesmeni i kthyer në udhëheqës botëror shpalosi aftësitë e tij për arritje marrëveshjesh gjatë fushatës paraprake, por nuk ka mundur në një vit të miratojë asnjë ligj të rëndësishëm, përfshirë dy premtimet kryesore të fushatës: reformën e emigracionit dhe rrëzimin e “Obamacare”.

Ajo që ka dominuar në Presidencën e deritanishme të Trumpit, në formë të vazhdueshme, ishte dhe mbetet hetimi për përzierjen e mundshme ruse në zgjedhjet e vitit 2016. Trump shkaktoi një stuhi politike në maj, duke shkarkuar shefin e FBI-së, James Comey, që kryesonte hetimin.

Robert Mueller, ish-drejtor i FBI-së u emërua më pas i ngarkuar special për hetimin. E ndërsa uraganët përplaseshin njëri pas tjetrit mbi SHBA, Trump u përgëzua për reagimin në Teksas dhe Florida, por u vu nën kritika për angazhimin më të mangët në Porto Riko.

Por ndërkohë, tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut u ndezën si asnjëherë më parë, e Trump tha se vendi i izoluar do të përballej me “zjarr dhe zemërim”, siç bota nuk ka parë kurrë më parë, nëse ai do të kërcënonte sërish Amerikën.

Një vit pas fitores, Trump nuk ka hequr dorë nga gjuha e tij me raste e ekzagjeruar dhe as nga sulmet personale që mbërthyen publikun gjatë zgjedhjeve. Ish-ylli i shfaqjeve televizive, që vallëzoi nën tingujt e këngës “My Way” nga Frank Sinatra në ballon e tij të betimit, ka vazhduar kështu të kënaqë bazën e tij politike dhe të acarojë kritikët, por një vit më pas popullariteti i tij duket se po bie edhe në ato që konsideroheshin bastione.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA