Zbulimet e publikuara së fundmi nga “Paradise Papers”, mbi strategjinë e shmangies së taksave, kanë arritur një shkallë të re sipas eurodeputetit të “të gjelbërve”, Sven Giegold, i cituar nga “Deutsche Welle”.
“Për herë të parë kemi parë dokumentet e një prej zyrave më profesionale të avokatisë në parajsat fiskale”, thotë eurodeputeti, duke iu referuar “Appleby”, gjë që sipas tij është pjesa më e rëndësishme e zbulimeve.
Janë vlerësuar edhe regjistra të 19 parajsave fiskale, ndër to Malta, Bermuda, Trinidadi, Grenada etj.
“Me territoret e saj jashtë vendit, listën e parajsave fiskale e kryeson Britania e Madhe”, thotë Giegold, sipas të cilit duhet të ushtrohet presion ndaj këtij vendi për t’i mbyllur ato.
Por krahas Britanisë së Madhe janë edhe Malta, Holanda dhe Irlanda, ato që duan të pengojnë BE-në të përpilojë një listë të plotë të parajsave fiskale.
Eurokomisioneri për Financat, Pierre Moscovici shprehet se kjo është një bllokadë politike. Edhe ish-ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble mendon se bota e globalizuar financiare pengon luftimin efektiv të mënjanimit fiskal, me mundësitë praktikisht të pakufizuara që ka.
“Ne jemi në një botë të globalizimit. Me këtë, mundësitë për të gjetur formën më të mirë tatimore janë të panumërta”, pohon ai.
Megjithatë, BE-ja po përpiqet që t’u vështirësojë jetën parajsave fiskale, me ndihmën e konkurrencës dhe të të drejtës për mbështetje. Belgjika për shembull po kërkon 700 milionë euro nga 35 firma, që kanë përfituar nga politika fiskale për sipërmarrjet. Luksemburgu kërkon 250 milionë euro nga “Amazon”, për shkak të mënjanimit të tatimeve, ndërsa Irlanda 13 milionë euro nga “Apple”.
Por kërkesat e Komisionit Europian janë ende në letër.
Top Channel