Abu Dhabi do të hapë muzeun e tij të “Luvrit” të shtunën, duke e pozicionuar veten si një qytet i turizmit kulturor me ekspozimin e qindra veprave, që shpreson se do të tërheqin vizitorë nga e gjithë bota.
I rrethuar nga ujë në të 3 anët e tij, muzeu mban 600 vepra arti që i ka blerë, bashkë me 300 vepra që i janë dhënë hua nga 13 institucione franceze, në 23 galeritë e tij të përhershme. Artistët variojnë nga Paul Gauguin dhe Vincent van Gogh, e deri te Pablo Picasso dhe Cy Twombly.
Presidenti francez Emmanuel Macron do të jetë i ftuar nderi në hapjen e tij, bashkë me shefa të tjerë shtetesh.
Mes veprave të ekspozuara është edhe një skulpturë e Auguste Rodin, një pemë gjigante bronzi me degë të pasqyruara, të quajtura “gjethe drite” nga artisti italian Giuseppe Penone, dhe 3 gravura në shkëmbinj që mbajnë tekste historike nga rajoni, nga Jenny Holzer, një artist amerikan neokonceptual.
Ka edhe vepra të paçmuara, mes të cilave një statujë e sfinksit e shekullit të VI para Krishtit, 13 fragmente të një mozaiku që përshkruan Surah Al-Hashr nga Kurani i shenjtë dhe një bust mermeri të Aleksandrit të Madh.
Për sa i takon pikturave, do të ekspozohet një vepër e Da Vincit e realizuar në vitet 1495-1499, e quajtur “La belle ferronnière”, ose “portreti i një gruaje të panjohur”, që është restauruar së fundmi dhe është huazuar nga Muzeu origjinal i Luvrit në Paris.
Muzeu hapet bazuar në një marrëveshje ndërqeveritare mes Parisit dhe Abu Dhabit, nënshkruar në vitin 2007. Ai do të hapej në vitin 2012, por gjithçka u vonua nga kriza financiare globale, e më pas nga çmimet e ulëta të naftës, që bënë që Emiratet e Bashkuara Arabe të kontrollojnë shpenzimet.
Duke investuar mbi një miliard dollarë në muze, Abu Dhabi shpreson se kultura do të tërheqë më shumë turistë.
Top Channel