Protesta të shumta globale kanë shoqëruar pretendimet e saj se, gjuetinë e balenave e zhvillon për qëllime shkencore.
Në vitin 2014, Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë ia ndaloi vrasjen e gjitarëve të detit në Antarktidë dhe e detyroi Japoninë ta bllokonte për një sezon gjuetinë e shumëdiskutuar.
Por në periudhën 2016-2017, flota e gjuetarëve të saj ishte rikthyer në kontinentin e akullt, nga ku mori 333 balena të vogla. Tani, si për t’i hedhur aktivistëve një tjetër dorashkë dyluftimi, Instituti japonez i Kërkimeve mbi Balenat organizoi në Tokio një festival ushqimor, ku mishi i gjigantit të ujit ishte pjata e vetme në meny.
“Më pëlqyen shumë disa pjesë të veçanta mishi, që nuk i kisha provuar kurrë më parë. Ishin goxha të shijshme”, tha Takahiro Kato, student.
“Sasia e mishit të balenës në treg ka rënë ndjeshëm për shkak të rregullave të reja, e tani për njerëzit e zakonshëm mundësitë që të konsumojnë mish balene janë më të pakta. Druhem se kjo traditë do të zhduket në Japoni, ndaj dua që këtë lloj mishi ta hanë sa më shumë njerez”, tha Kazuo Yamamura, kreu i Shoqatës japoneze të Gjuetisë së Balenave.
Shumica e 300 vizitorëve e shijuan mishin e ofruar, i cili nuk gjendet në çdo restorant të vendit, por vetëm në disa gjelltore tradicionale, megjithatë pati dhe nga ata që u treguan të rezervuar e nuk deshën ta provonin.
Top Channel