“Viti 2017 do të shënohet si një ndër 3 vitet më të nxehta, që nga fillimi i regjistrimit të të dhënave”, njoftoi Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) në hapje të konferencës klimatike të Kombeve të Bashkuara, në Bon të Gjermanisë.
Në konferencën që do të zgjasë deri më 17 nëntor, përfaqësuesit e rreth 200 vendeve pjesëmarrëse do të përpiqen të forcojnë “Marrëveshjen e Parisit” të vitit 2015, pavarësisht tërheqjes së deklaruar të Shteteve të Bashkuara.
Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, viti i kaluar ishte më i nxehti për shkak të fenomenit “El Nino”, ndërsa 2015 dhe 2017 renditen në vendin e dytë dhe të tretë.
Prania e dioksidit të karbonit në atmosferë ka vazhduar të rritet këtë vit, nivelet e deteve janë rritur po ashtu, ndërsa shtresa e akullit në Antarktidë po reduktohet në nivele rekord. Kryeministri i ishujve Fixhi, që hapi punimet e konferencës së Bonit, ka lëshuar një apel drejtuar botës për veprim urgjent.
“Apeli ynë kolektiv drejtuar botës është të punojmë për të arritur objektivat e përcaktuara në Paris”, tha Frank Bainimarama, kryeministër i Fixhit.
“El Nino” është një fenomen klimatik periodik, që shkakton një ngrohje të fortë të ujërave në oqeanin Paqësor në muajt dhjetor e janar, mesatarisht çdo 5 vite, me një periudhë që statistikisht varion nga 3 deri në 7 vite.
Periudha 2013-2017 ka qenë pesëvjeçari më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, ndërkohë që nuk kanë munguar uragane të intensitetit të lartë, temperatura mbi 50 gradë Celsius në Azi, apo edhe një thatësire vrasëse në Afrikë. Fenomene këto, që sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Meteorologjinë janë të lidhura me ngrohjen globale dhe efektin serë.
Top Channel