Spanjë, arrestohen 8 ish-zyrtarët katalanas

02/11/2017 16:58

Gjykata e Lartë e Spanjës urdhëroi arrestimin e 8 zyrtarëve të qeverisë së shkarkuar rajonale të Katalonjës, siç kërkuan prokurorët pas seancave dëgjimore në Madrid.

Plot 9 ish-zyrtarë katalanas u paraqitën për t’u marrë në pyetje në Gjykatën e Lartë dhe prokurorët kërkuan arrestimin e 8 prej tyre, të akuzuar për rebelim, ndarje dhe shpërdorim të fondeve për referendumin e muajit të kaluar, përmes së cilit Katalonja shpalli pavarësinë.

Duket se gjykata nuk ka pritur vazhdimin e seancave dëgjimore për të premten, por ka mbështetur kërkesën e prokurorëve për të prangosur zyrtarët rebelë.

Një prej tyre do të gjykohet në gjendje të lirë, pasi kishte dhënë dorëheqjen para se të shpallej pavarësia. Prokurorët kërkuan gjithashtu nxjerrjen e një mandatarresti europian për ish-udhëheqësin katalanas, Carles Puigdemont, dhe 4 prej ish-ministrave të tij, që nuk u paraqitën për të dëshmuar në gjyq.

Tashmë që kolegët e tyre përfunduan pas hekurave, zor se mund të pritet që Puigdemont të udhëtojë vullnetarisht drejt Spanjës. Në një kërkesë me shkrim për gjykatësen Carmen Lamela të Gjykatës së Lartë, prokurorët thonë se Puigdemont dhe të tjerët ishin të ndërgjegjshëm se u kërkohej të paraqiteshin, por zgjodhën të mos e bëjnë këtë.

Sipas prokurorëve, përpjekjet e përsëritura për të kontaktuar me Puigdemont u injoruan dhe nuk ka rrugë tjetër veç gjetjes dhe arrestimit të tij për mosrespektim të urdhrit për paraqitje të gjykatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA