OSBE: Reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse

02/11/2017 15:30

Komisioni për reformën zgjedhore, u ngrit në maj të këtij viti por, mbledhja e pare e tij nuk është zhvilluar ende. Edhe pse përbën një nga temat e ditës më të nxehta të politikës, 10 anëtarët e partive politike të këtij komisioni nuk janë mbledhur për të hartuar reformën më të rëndësishme pas asaj në drejtësi. E gjithë vonesa sipas ambasadorit të OSBE, Bernd Borchardt, duhet të marrë fund sa më shpejt.

“Dëshiroj të përshëndes krijimin e hershëm të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe pres me padurim ta shoh atë të nisë punën sa më shpejt. Nevojitet medoemos një reformë zgjedhore e plotë, gjithëpërfshirëse dhe, nënvizoj, pa vonesa, që do të trajtojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e fundit dhe ato të mëparshme”, tha Bernd Borchard.

Në tryezën paszgjedhore ku Borchardt dha mesazhin për nisjen e punës së Komisionit të Reformës, kishte përfaqësues vetëm nga opozita, konkretisht Oerd Bylykbashi i PD. Apeli i Ambasadorit të OSBE vjen pas vizitës që shefi i vëzhguesve të zgjedhjeve Peter Tejler, bëri në Partinë Demokratike të martën me Lulzim Bashën, ku u diskutua shitblerja e votës dhe ecja përpara me reformën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA