16 nëntori është data kur Asambleja e Akademisë së Shkencave do t’i dërgojë Këshillit të Ministrave projektpropozimin e saj lidhur me reformën në këtë institucion.
Ndërsa duket se ftesa që ata i kanë bërë Kryeminstrit për një dialog të hapur për diskutim, e ka lënë kreun e qeverisë indiferent, akademikët thonë se nëqoftëse buxheti për këtë institucion ndërpritet, ata nuk mundet të vijojnë punën.
Nëse ardhmja e Akademia e Shkencave rrezikohet, ata që humbin nuk janë vetë akademikët, por komuniteti i shkencëtarëve e për rrjedhojë shoqëria shqiptare.
“Në qoftë se kjo akademi nuk i ka këto fonde është e pamundur që të funksionojë. Do të këtë një organizëm të vetin, i cili bazuar në ligj të njihet në mënyrë statutore si një organizëm i pavarur dhe këtu humbja, nëse ndodh nuk është e jona si anëtarë të Asamblesë dhe Akademisë, këtu problemi është i komunitetit të shkencëtarëve”, thotë Artan Fuga.
Për Fugën, shkrirja e Akademisë e çon shkencën shqiptare dhe kërkimin shkencor një hap pas.
“Edhe në qoftë se flukset hyrëse dhe përfaqësuese në këtë Akademi nuk kanë qenë siç duhet të jenë dhe këtu ka vend për kritika, kjo nuk do të thotë që ky status i shkencëtarëve të prishet. Ai ka nevojë të ndreqet. Pra, këtu është problem: çfarë statusi do të ketë një shoqëri shqiptare kërkimi shkencor? Si mundet të bëjmë ne një hap prapa që komunitetit të shkencëtarëve t’i heqim përfaqësimin e tyre komplet të njohur me ligj e ta transformojnë në një OJF?”, shton profesor Fuga.
Për fatin e mëtejshëm të Akademisë duhet pritur 16 nëntori, kur akademikët do të kenë gati projektpropozimin e tyre për reformën.
Top Channel