Qeveria britanike do të vendosë një buxhet të përvitshëm për Irlandën e Veriut, për herë të parë pas një dekade, pasi dështuan përpjekjet për të formuar një qeveri të përbashkët mes nacionalistëve irlandezë dhe unionistëve pro britanikë.
Kjo lëvizje është një hap i rëndësishëm drejt kthimit nën sundimin e drejtpërdrejtë nga Londra, diçka që shumë druhen se do të prishë ekuilibrin delikat politik në Irlandën e Veriut. Për më tepër, kjo çështje është një tjetër problem serioz për kryeministren britanike, Theresa May, ndërsa ajo negocion largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian.
Nacionalistët irlandezë të partisë “Sinn Fein” dhe pro britanikët e Partisë Demokratike Unioniste ndajnë pushtetin në Irlandën e Veriut prej një dekade, që prej marrëveshjes historike të vitit 1998, që i dha fund tri dekadeve dhunë që rezultuan me 3.600 viktima.
Por “Sinn Fein” u tërhoq nga bashkëqeverisja, me justifikimin se nuk po trajtohej si partner i barabartë dhe raundi i fundit negociues dështoi të mërkurën. Në këtë situatë, ministri britanik për Irlandën e Veriut, James Brokenshire tha se, meqë nuk ka shpresa për formimin e një qeverie, Londra duhet të akordojë një buxhet për të financuar shërbimet thelbësore atje.
Brokenshire deklaroi se Londra do të tërhiqet menjëherë, nëse palët në Irlandën e Veriut bien dakord, e për t’i nxitur, ose për të ushtruar presion mbi ta, ai tha se do të shqyrtojë mundësinë për të ndërprerë pagat e deputetëve atje, ndërsa nuk ka ekzekutiv në funksion.
Top Channel