Kryemadhi, takim me strukturat e LSI-së në Dibër

01/11/2017 22:30

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, në një takim me strukturat e partisë në Dibër, deklaroi se “zgjedhjet e 2016-s ishin një shembull shumë i shëmtuar që i hapi rrugën masterplanit të madh të vjedhjes së votës”.

“U këmbyen votat e qytetarëve me parcelat e hashashit që mbaheshin dhe ruheshin nga kryepleqtë. U këmbyen votat e qytetarëve me paratë e drogës, u këmbyen votat e qytetarëve me vendet e punës dhe me kërcënimet për vendet e punës”, deklaroi Kryemadhi.

Kreu i LSI-së shtoi se “prej 27 vitesh jemi një vend në tranzicion dhe kjo për shkak të klasës politike, për shkak të konfliktit politik, për shkak të korrupsionit, për shkak të krimit të organizuar, për shkak të kapjes së shtetit nga mafia, nga bandat dhe nga kriminelët”.

“Ekonomia në Shqipëri po vjen çdo ditë e më shumë duke u përkeqësuar, duke polarizuar problemet sociale dhe duke varfëruar çdo ditë e më shumë shqiptarët. Besoj se pjesa më e madhe e juaja e dini mjaft mirë që pensionet nuk janë rritur, pagat nuk janë rritur dhe mundësia për të blerë ushqimin është shumë e vështirë. Pra, inflacioni është rritur dhe ajo çfarë ka ndodhur është që situata sa vjen e përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Banka Botërore sapo konfirmoi se Shqipëria ka bërë hapa pas përsa i përket bërjes së biznesit, pra Doing Bussines, ku vihet re një përkeqësim të renditjes së Shqipërisë në këtë analizë, duke u pozicionuar 7 vende më poshtë. Ç’do të thotë kjo? Kjo do të thotë që taksat e larta dhe korrupsioni qeveritar po e përkeqëson klimën e biznesit. Pra, investitorët e huaj nuk e shikojnë Shqipërinë si një vend potencial për të ardhur dhe për të investuar këtu. Duke pasur parasysh që fqinjët tanë, Maqedonia është në vendin e 11-të, Kosova në vendin e 40-të, ndërsa Shqipëria në vendin e 65-të. Pra, investitorët e huaj e shikojnë Shqipërinë si Kolumbinë e Evropës, çka do të thotë se vendi ynë çdo ditë e më shumë do të varfërohet dhe përkeqësohet. Shqiptarët çdo ditë e më shumë do të jenë të varfër dhe besoj se ju e dini më mirë se unë se sa më i varfër të jesh, sa më i pashkolluar të jesh, aq më e lehtë është për të qenë viktimë apo peng i krimit dhe i bandave. Sepse nëse njerëzit nuk do të kenë mundësi të ushqejnë fëmijët e tyre, do të detyrohen të bëhen argatë në fushat e kanabisit. Nëse njerëzit nuk do të kenë mundësi të shkollojnë fëmijët e tyre, do të detyrohen të ngrenë plaçkat dhe të emigrojnë, duke e shpopulluar këtë vend”, tha Kryemadhi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA