Dyshtetësia në Australi, “kurbani” i radhës bëhet kreu i Senatit

01/11/2017 19:24

Presidenti i Senatit australian, Stephen Parry lajmëroi dorëheqjen e tij, pasi konfirmoi se ai ka nënshtetësi të dyfishtë.

Kjo çështje u ka kushtuar postin mjaft zyrtarëve australianë, më i fundit zëvëndeskryeministri Barnaby Joice.

Ligji australian thotë qartë se, një person me nënshtetësi të dyfishtë nuk mund të zgjidhet, e pasi konfirmoi shtetësinë e tij të dytë britanike, Parry tha se do t’i bindet ligjit pa asnjë diskutim.

U desh ndërhyrja e Gjykatës së Lartë të Australisë për të shkarkuar disa prej zyrtarëve të lartë me nënshtetësi të dyfishtë, por Parry, i cili nuk ishte mes të dyshuarve, e ndërmori këtë hap vullnetarisht.

Ai tha se kishte kërkuar sqarime nga Ministria e Brendshme britanike dhe kjo e fundit e kishte lajmëruar se gëzonte automatikisht nënshtetësinë britanike, për shkak të babait të tij.

Gjesti i Parryt është duartrokitur nga klasa politike australiane, megjithëse kjo është bërë me zemër të thyer nga qeveria, pasi kreu i Senatit është anëtari i tretë i saj që humbet postin për shkak të nënshtetësisë së dyfishtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA