Veliaj në Amsterdam: Lehtësira për kompanitë që duan të investojnë në Tiranë

31/10/2017 13:05

UKT ka nënshkruar një memorandum me Autoritetin Rajonal të Ujit të Delflandit në Holandë dhe kompaninë “Dunea”.

Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe drejtori i përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla ndodhen në Amsterdam për të ndjekur punimet e konferencës për Javën e Ndërkombëtare të Ujit.

Qëllimi i bashkëpunimit mes palëve është të përmirësojë eficencën dhe performancën e shërbimeve të ujit dhe të trajtimit të ujërave të ndotur në qytetin e Tiranës. “Ky ishte viti i parë pozitiv për ujësjellësin, por misioni ynë është që gjithmonë të bëjmë më të mirën dhe besoj se edhe ky memorandum është një përpjekje për të bërë më mirë. Jo vetëm për të qenë ekipi më i mirë në Shqipëri, por të jemi konkurrues me çdo ujësjellës në Europë, që do të thotë që jo vetëm do të përmirësojmë infrastrukturën, por edhe burimet njerëzore”, tha Veliaj.

Ai zhvilloi takime edhe me përfaqësues të biznesit atje, të cilët i ftoi të investojnë në Tiranë, ndërsa i njohu ata me avantazhet konkurruese që ofron kryeqyteti shqiptar për zhvillimin e sipërmarrjeve. Veliaj theksoi se Tirana është një ndër bashkitë më të hapura dhe më transparente.

Duke njohur të pranishmit me potencialet ekonomike që ofron Tirana, Veliaj deklaroi se bashkia është duke aplikuar për krijimin e një zone të lirë ekonomike me synimin e tërheqjes së investimeve të kompanive të mëdha ndërkombëtare. “Po aplikojmë për një zonë të lirë ekonomike pranë Kasharit, në jug të Tiranës. Është gati 80ha dhe vitin tjetër do ta kemi në funksion. Zakonisht ndodh që kompanitë e mëdha vijnë për biznes, por u duhet të flasin me shumë pronarë. Ndaj në momentin e parë që qyteti ka një zonë të lirë ekonomike, kompanitë e kanë më të lehtë të investojnë”, nënvizoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA