Rritja e temperaturave, edhe OKB dorëzohet para objektivit global

31/10/2017 18:22

Gazrat serë do të jenë 30% më të larta sesa objektivi global për vitin 2030, por ka shenja të një lëvizjeje masive për t’u larguar nga karburantet fosile, që as presidenti amerikan Donald Trump nuk i ndalon dot.

Auditi i përvitshëm i OKB-së për progresin drejt objektivit të përbashkët tregon se, prodhimi i dioksidit të karbonit do të jetë 53 deri në 55 miliardë tonë në vit, deri në 2030-n, shumë më tepër sesa objektivi prej 42 miliardë tonë, për të mos lejuar një ngritje temperaturash mbi 2 gradë Celsius.

Trump lajmëroi largimin e Shteteve të Bashkuara nga pakti i Parisit, sipas të cilit 195 vende u zotuan se nuk do të lejojnë këtë rritje temperaturash, por sipas OKB-së duket se ky objektiv është i pamundur.

Megjithatë, zyrtarë të Kombeve të Bashkuara thanë se, gjatë 3 viteve të fundit nuk është vënë re rritje e prodhimit të dioksidit të karbonit nga aktiviteti njerëzor, gjë që i jep shpresa komunitetit ndërkombëtar se mund ta reduktojnë atë.

Sipas OKB-së, pavarësisht tërheqjes së Trumpit nga pakti i Parisit, Shtetet e Bashkuara do të respektojnë angazhimin e saj, jo më prej Shtëpisë së Bardhë, por prej sektorit privat që është në rrugën e duhur të promovimit të burimeve të gjelbra të energjisë dhe largimit nga ato tradicionale.

OKB-ja tha se tashmë i takon këtij institucioni që të nxisë këtë trend pozitiv, pasi shifrat tregojnë qartë se në këtë shekull, temperaturat do të rriten me 3 deri në 3.2 gradë Celsius, shumë më lart sesa 2 gradët që konsiderohen si limit dhe që përbëjnë objektivin e paktit të Parisit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA