Puigdemont: Në Bruksel për të qenë i lirë për veprimet e mia

31/10/2017 13:26

“Nuk jam këtu për të kërkuar azil politik”, deklaroi nga Brukseli presidenti i shkarkuar katalanas, Carles Puigdemont.

Kjo ishte shfaqja e parë në publik e Puigdemont, që kur Prokurori i Përgjithshëm spanjoll formuloi akuzat ndaj tij dhe organizatorëve të tjerë të kryqëzatës katalanase për pavarësi. “Nuk po përpiqem t’i bëj bisht drejtësisë, – ishte komenti i tij, – por dua të jem në gjendje të flas lirisht”.

“Nuk erdha në Belgjikë që të kërkoj azil politik, por për të vepruar në liri dhe siguri të plotë. Ndodhem këtu sot, sepse Brukseli është kryeqyteti i Europës. Unë dhe ekipi im do ta vazhdojmë punën e nisur, pavarësisht kufizimeve që na kanë vendosur. Spanja kërkon që Katalonja ta braktisë projektin e saj politik, por nuk do t’ia arrijë qëllimit”, tha Puigdemont.

Përpara reporterëve në kryeqytetin belg, Puigdemont u shpreh se do ta pranojë me të gjithë forcën sfidën e zgjedhjeve rajonale të caktuara të mbahen më 21 dhjetor, e shtoi se nacionalistët katalanas do të dalin në votime.

“Përpjekja jonë ishte paqësore”, kujtoi ai, e duke nënkuptuar se ajo duhet të vazhdojë të mbetet e tillë bëri thirrje për shmangien e dhunës, e theksoi se dialogu mbetet një prioritet.

Ish-udhëheqësi katalanas mbërriti në Bruksel të hënën, në të njëjtën ditë kur Prokuroria e Përgjithshme spanjolle ngriti ndaj tij akuzat për rebelim, ndarje të vendit e shpërdorim të fondeve publike, që bartin përkatisisht dënime maksimale me 30, 15 dhe 6 vite burg.

Ministri belg i Emigracionit, Theo Francken, anëtar i partisë separatiste “Aleanca e Re Flamande”, deklaroi përpara disa ditësh se ministrat katalanas mund të aplikojnë për azil në Belgjikë, e shtoi se e dyshonte seriozisht që Puigdemontit dhe të tjerëve do t’u rezervohej një proces i drejtë gjyqësor në Spanjë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA