Avokati i Carles Puigdemont konfirmoi raportet e një dite më parë në media se presidenti i shkarkuar i Katalonjës ndodhet në Bruksel.
Por Paul Bekaert këmbëngul se Puigdemont nuk po fshihet. Ai ka çdo të drejtë të jetë këtu, deklaroi juristit belg duke shtuar se kundër liderit katalanas nuk është ngritur ende ndonjë akuzë.
I pyetur nëse Puigdemont planifikon të kërkojë, ashtu siç përflitet, azil politik në Belgjikë, avokati u përgjigj: Po i mbajmë hapur të gjitha mundësitë. Për momentin, nuk është vendosur asgjë.
Prokurori i përgjithshëm i Spanjës kërkoi të hënën që ndaj presidentit të përmbysur dhe organizatorëve të tjerë të referendumit të Katalonjës të ngrihen akuza për rebelim, ndarje dhe shpërdorim të fondeve publike, dhe dënimi më i ulët që mund të merret për to është 6 vjet burg.
Ministri belg i emigracionit Theo Francken, deklaroi gjatë fundjavës se një aplikim për azil nga ana e Puigdemont nuk ishte dhe aq i pagjasë, por kryeministri Charles Michel u shpreh pas tij se një veprim i tillë nuk ishte “aspak në axhendën e qeverisë belge”.
Francken, anëtar i Partisë Separatiste “Aleanca e Re Flamande” u shpreh se ministrat katalanas mund të aplikojnë për azil në Belgjikë e shtoi se e dyshonte seriozisht që Puigdemontit dhe të tjerëve do t’i rezervohej një proces i drejtë gjyqësor në Spanjë.
Mediat spanjolle thonë se Puigdemont është takuar në Bruksel me politikanë flamandë dhe se ai shoqërohej në këto bisedime nga 5 prej ministrave të shkarkuar të qeverisë së tij.
Top Channel