Pr/buxheti, opozita braktis Konferencën e Kryetarëve

31/10/2017 10:22

Demokratët e bojkotuan aktivitetin parlamentar për të treguar se pas çështjes “Tahiri” situata nuk mund të trajtohet si normale. Opozita nuk qëndroi as kur u diskutua për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

“Qeveria ka rene për opozitën, puna më e mirë që mund të bëjë është dorëheqja, duhet qeveri antimafia, të krijojë kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Spaho, kryetar i grupit parlamentar të PD.

“Më vjen shumë keq për PD-në, nuk më vjen keq për LSI-në, që po i shkon pas PD-së”, u shpreh Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS-.

Por përfaqësuesit e LSI-së nuk dhanë të njëjtën arsye nga largimi i diskutimit të buxhetit, një dokument, që sipas Petrit Vasilit, nuk është firmosur nga Kryeministri Rama.

“Edi Rama është bojkotuesi i madh. Nuk ka për të pasur rast tjetër se deri ku mund të arrijë papërgjegjshmëria e një kryeministri. Është votëbesuar për këtë dokument në radhë të parë dhe mbi të gjitha”, tha Vasili.

Opozita nuk u shfaq e bashkuar as kur demokratet bojkotuan edhe aktivitetet e tjera parlamentare. Përfaqësuesit e LSI-së qëndruan edhe në komisionin e veprimtarive prodhuese, edhe ne komisionin e ligjeve, ku deputetet demokrate deklaruan se nuk bëhen pjesë e farsës qeveritare pa u ndërprerë kontrata e saj me krimin.

Top Channel