Postimet ruse për SHBA, 126 milionë lexues në 2 vite

31/10/2017 11:28

Gati 126 milionë përdorues amerikanë të Facebook-ut mund të kenë parë gjatë dy viteve të fundit përmbajtje të shkarkuara nga operativët me bazë në Rusi.

Rrjeti më i madh social i botës thotë se 80.000 postime u hodhën përpara dhe pas presidencialeve amerikane të 2016-tës.

Shumica e tyre fokusoheshin tek ndasitë sociale dhe mesazhet politike. Rusia vazhdon t’i mohojë akuzat se është përpjekur të influencojë zgjedhjet e vitit të kaluar ku Donald Trump arriti të mposhtë rivalen demokrate Hillary Clinton.

Facebook i publikoi shifrat përpara një seance dëgjimore në Senatin e SHBA-së, ku, së bashku me Twitter dhe Google, do të japin detaje mbi ndikimin e Moskës në faqet e tyre. Të dhënat e ofruara prej tij ka arritur t’i shohë agjencia e lajmeve Reuters dhe gazeta Washington Post.

Sipas Facebook-ut, 80.000 postimet janë publikuar në periudhën qershor 2015-gusht 2017 nga një kompani ruse e lidhur me Kremlinin.

Përpara tre muajsh, rrjeti social njoftoi se do t’i luftojë lajmet e rreme duke i dërguar verifikuesve të fakteve më shumë tregime të dyshuara si mashtrime dhe përfundimet e tyre do t’i publikojë online.

Në fillim të Tetorit, ai u shpreh gjithashtu i gatshëm të ofrojë detaje të mbi 3.000 reklamave të blera në Rusi rreth kohës së zgjedhjeve. Po këtë muaj, Twitter ia ndaloi grupeve mediatike “Russia Today” dhe “Sputnik” blerjen e reklamave si dhe pezulloi 2,752 profile të lidhura me agjencinë e kërkimit ne internetit, selia e së cilës është në Shën Peterburg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA