Akuzat e përfshirjes ruse në zgjedhjet amerikane dhe në Europë janë fantazi dhe asgjë më shumë. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pasi hetuesit amerikanë paditën ish-menaxherin e fushatës së Trumpit, Paul Manafort, për pastrim parash.
“Pa as edhe një provë të vetme, ne akuzohemi se jemi përfshirë jo vetëm në zgjedhjet amerikane, por edhe zgjedhjet e disa vendeve europiane. Së fundmi u bënë akuza se Moska vendosi cilin ministër të emërojë në Afrikën e Jugut. Në përgjithësi, fantazia nuk ka limite”, tha Sergei Lavrov, ministër i Jashtëm i Rusisë.
Komentet e Lavrov pasuan qëndrimin zyrtar të Kremlinit, që theksoi se akuzat e bëra së fundmi në SHBA nuk drejtojnë gishtin nga Rusia.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se akuzat konfirmojnë pozicionin e hershëm rus, se Moska nuk ka ndërhyrë kurrë në zgjedhjet amerikane apo në vende të tjera. Peskov shtoi se, Rusia nuk është ndierë kurrë fajtore, që të ndihet tani e shfajësuar, por thjesht shfrytëzon rastin për të treguar se akuzat ndaj saj janë plotësisht të pabaza.
Top Channel