Spanjë, qeveria kërkon me ngulm arrestimin e Puigdemont

30/10/2017 10:46

“Nëse nuk do të arrestohet Carles Puigdemont do të mund të rikandidojë sërish” Ministri i jashtëm spanjoll ka përsëritur kështu pozicionin e qeverisë së tij për liderin e shkarkuar katalan.

Alfonso Dastis, foli ndërsa një tubim i madh për unitetin e Spanjës u mbajt në qytetin më të madh të Katalonjës, Barcelonë.

“Ne nuk po ia marrim autonominë Katalonjës. Në fakt, ne po e rivendosim atë”, tha ai. Karlos Puigdemont u shkarkua nga detyra pasi Madridi i hoqi autonominë Katalonjës pas shpalljes së Pavarësisë.

Qeveria qendrore spanjolle tani ka marrë kontrollin e institucioneve katalanase. Ndërkohë, kryeprokurori spanjoll, po përgatit dosjen me akuza kriminale ndaj Puigdemont dhe zyrtarëve të tjerë katalanas, për shkeljen e ligjit.

Akuzat mund të formalizohen gjatë ditës së sotme, dita e parë e punës që nga shpallja e Pavarësisë dhe kundërpërgjigjja e Spanjës.

Puigdemont thotë se ai nuk i njeh urdhrat e Madridit për heqjen e tij nga detyra. Ai ka apeluar për një opozitë demokratike ndaj sundimit direkt nga Madridi, ndërsa ministri i Brendshëm Huan Injacio Zoido i ka shkruar një letër të gjithë oficerëve të policisë në Katalonjë, duke kërkuar besnikërinë e tyre ndërkohë që një erë e re fillon në rajon.

Ai i kujtoi pjesëtarëve të policisë rajonale, që janë tani nën kontrollin direkt të Madridit, detyrimin e tyre t’i binden urdhrave dhe të garantojnë të drejtat dhe liritë e të gjithëve.

Sipas analistëve, një arrestim i Puigdemont ka gjasa të nxisë protesta dhe kjo është ndoshta një nga arsyet përse ministri i Brendshëm e ka shkruar këtë letër. Zyrtarë të lartë të policisë, kanë thënë ndërkohë për BBC se tashmë i janë bindur urdhrave për të hequr nga zyrat fotot e liderit të shkarkuar të rajonit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA