Pas stanjacionit që shënoi në vitin 2015, konsumi i familjeve shqiptare ka dhënë shenja gjallërimi vitin e kaluar.
Instituti i Statistikave raportoi se shpenzimet mujore të një familje arritën mbi 73 mijë lekë gjatë vitit të kaluar duke u rritur me mbi 4 për qind krahasuar me vitin 2015-ën.
Por për çfarë shpenzojnë familjet shqiptare? Sipas INSTAT, pjesa më e madhe e buxhetit, përkatësisht 45.2 për qind e tij shkon për ushqime. Krahasuar me një vit më parë, pesha e buxhetit që familjet shpenzojnë për ushqime është ulur cka përgjithësisht interpretohet si rritje e mirëqenies.
Ulja e buxhetit të ushqimeve, i ka mundësuar familjeve të rrisin shpenzimet për zëra të tjerë, përkatësisht duke u dyfishuar për arsim, por edhe rritur ndjeshëm për argëtim në restorante e hotele.
Por mirëqenia nuk është rritur njësoj për të gjithë. Sipas INSTAT, Shqipëria ka përjetuar rritje të pabarazisë ekonomike, pasi konsumi i familjeve që përbëjnë 10 për qindëshin më të pasur të vendit u rrit 5 herë më shumë se sa ai i pjesës dërrmuese të popullsisë.
Më konkretisht, nëse për të pasurit, konsumi u rrit me 5.5 për qind në terma reale, për pjesën tjetër, ai u rrit me vetëm 1.1 për qind.
Top Channel