Dy javë nga masakra e mesit të tetorit, që mori 358 jetë njerëzish, Mogadishu u trondit prej dy shpërthimeve të fuqishme dhe rrethimit 15-orësh të një hoteli mjaft popullor të kryeqytetit somalez.
Persona të armatosur mësynë ndërtesën pas dy bombave të vendosura në zonë. Mësohet se, të paktën 20 vetë u vranë, e nuk përjashtohet mundësia që bilanci i jetëve të humbura të thellohet edhe më shumë, kur forcat e sigurisë të kontrollojnë dhomat e hotelit “Nasahablod Two”.
Arsyeja përse ndërtesa u kthye në shënjestrën e militantëve të grupit islamik “Al-Shabaab” është se frekuentohej shpesh nga politikanë dhe zyrtarë të lartë të sigurisë.
Ai i 14 tetorit ishte sulmi më i rëndë në Somali, që kur “Al-Shabaab” nisi ofensivën e tij në vitin 2007, por grupi i lidhur me “Al Qaeda”-n e mohon përfshirjen në ngjarjen e rëndë, prej së cilës 56 persona vazhdojnë të mbeten të humbur.
Në hotelin e mësyrë një ditë më parë, krerë rajonalë, ata të policisë e zyrtarë të shërbimeve sekrete do të takoheshin për një mbledhje me përfaqësues të qeverisë, fokusi i së cilës do të ishte pikërisht strategjia e përbashkët kundër “Al-Shabaab”-it, që lufton për rrëzimin e ekzekutivit dhe vendosjen e një varianti më të rreptë të ligjit islamik të sheriatit.
Rrethimi nisi pasditen e së shtunës e të shtëna sporadike pati gjatë të gjithë natës. Në mesin e viktimave ka edhe disa policë, që ishin duke qëndruar pranë portës kryesore të hotelit.
Top Channel