Në 35 komuna, nga 80 që ka gjithsej Maqedonia, u zhvillua raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, ku kanë të drejtë vote 833.716 qytetarë.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se deri në orën 17:00, të drejtën e votës e shfrytëzuan 43.83 për qind e votuesve, më pak se sa në zgjedhjet paraprake, ku votuan 45.75 përqind e qytetarëve.
Deri në këtë orë pjesëmarrja më e lartë nga 35 komunat ku u zhvillua balotazhi u regjistrua në Demir Kapi, me rreth 76 për qind, ndërsa më e ulëta në komunën Shuto Orizare të Shkupit ku në votime morën pjesë vetëm 31 për qind e votuesve.
Në disa zona shqiptare pjesëmarrja ishte e ulët. Sipas KSHZ-së procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë kryesisht të qetë dhe demokratike, me përjashtim të disa problemeve teknike, të cilat, siç thuhet u zgjidhen në kohë duke mundësuar kështu vazhdimin e procesit zgjedhor.
Megjithatë u raportuan disa incidente, si ai në komunën e Shuto Orizares në Shkup ku policia arrestoi një person pasi u përfshi në një sherr, e pati gjithashtu raportime për presione në disa komuna.
Ndryshe nga raundi i parë i zgjedhjeve në 15 tetor, kur u votua edhe për këshillat komunalë dhe qytetin e Shkupit, të dielën u votua vetëm për kryetarë të komunave që kaluan në balotazh, e ku u vunë përballë dy kandidatet me me shume vota.
Gara kryesore ishte kryesisht ne komunat me shumice shqiptare, pasi nga 14 prej tyre në raundin e parë u zgjodhën vetëm dy kryetarë komunash.
Betejat kryesore janë ato në Tetovë, ku garon Teuta Arifi e BDI-së dhe Bilall Kasami i Lëvizjes “Besa”. Në Gostivar ku gjenden përballë njëri-tjetrit Nevzat Bejta i BDI-së dhe Arben Taravari i Aleancës për Shqiptarët. Në Strugë me Ziadin Selën e aleancës për shqiptarët kundër Ramiz Merkos së Bashkimit Demokratik per Integrim. Në Cairi ku Visar Ganiu (BDI) përballet me Zeqirja Ibrahimin e Besës dhe Dibra ku garon Ruzhdi Lata po nga BDI me Arben Agollin e ASH-së.
Top Channel