Formimi për bujqësinë. Peleshi, apel të rinjve: Kërkesë e tregut

29/10/2017 13:03

Formimi i të rinjve për bujqësinë nga shkollat profesionale mbetet problem për tregun.

Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, dha mesazhin për të rinjtë, por edhe shkollat profesionale që të afrohen më shumë me kërkesat e këtij sektori punësimi.

“Ministria e Bujqësisë, natyrisht nuk mbulon arsimin profesional, por unë jam shumë i interesuar që të shikoj sesi punohet në shkollat profesionale, ashtu sikundër edhe në institucionet e arsimit të lartë, në Universitetin Bujqësor të Kamzës dhe në atë të Korçës, për të prodhuar kapacitete njerëzore për sektorin. Pra, pa kapacitete njerëzore, ndonëse ne kemi një potencial të jashtëzakonshëm të fushës bujqësore, të tokave bujqësore, apo të blegtorisë në vendin tonë, nuk mund të zhvillojmë dot një bujqësi dhe blegtori të zhvilluar”, tha Peleshi.

Nga Shkolla e Mesme Bujqësore e Cërrikut, zyrtarët e ministrisë dhanë shembullin se si një i ri i formuar mirë, mund të ketë sukses në këtë fushë.

“Këtu jemi në mes të një serre, e cila është produkt i punës së nxënësve. Drejtorja më tha që sapo kanë filluar prodhimin dhe vitin që vjen, apo në fund të sezonit, do dalin në treg. Ky është një komponent shumë inovativ për shkollat tona, për të ndërtuar dalëngandalë dhe ndërmarrjet e tyre të vogla, për t’i mësuar nxënësit dhe studentët dhe për t’i pajisur dhe me aftësitë e tregut, ku nesër do t’u duhet të integrohen”, tha Peleshi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA