Kryeqyteti i Somalisë, Mogadisho, është tronditur këtë të shtunë nga dy shpërthime të fuqishme që kanë ndodhur në një distancë të shkurtër kohore nga njëri-tjetri.
Shpërthimi i parë është shkaktuar nga një auto-bombë që është përplasur ndaj një hoteli, ndërsa i dyti në afërsi të ish-selisë së Parlamentit, pak minuta më vonë.
Majori i ushtrisë somaleze, Abdullahi Aden ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Reuters” se pas shpërthimit të parë, militantët kanë bastisur hotelin dhe mbajnë peng njerezit që ndodhen atje.
Numri i viktimave nuk dihet ende, por ngjarjet vijnë vetëm dy javë nga atentati i madh me bombë që vrau mbi 350 persona.
Autoritetet lokale deklarojnë se deri tani kanë rekuperuar trupat e 15 personave të plagosur, ndërsa kanë shtuar se trupat e pajetë në vendin e ngjarjes janë të shumtë. Për momentin llogariten mbi 10 të humbur.
Sipas majorit Aden, hoteli ku ndodhi atentati i parë, “Nasa Hablod Two”, është një ambjent i frekuentuar nga ligjvënës, ushtarakë të lartë, por edhe civilë.
Shpërthimi i dytë mësohet të ketë ndodhur rreth gjysmë ore më vonë. Një oficer policie deklaroi për agjencinë e lajmeve “AFP” se, bëhet fjalë për një minibus të mbushur me eksploziv që shpërtheu kur ndodhej pranë një kryqëzimi.
Gjithçka ndodh në një kohë kur autoriteteve në Mogadisho u duhet ende të merren me pasojat e shpërthimit të dy javëve të kaluar, që la të paktën 358 të vdekur dhe 56 të tjerë ende të zhdukur.
Grupi militant islamik Al Shabab, që u fajësua për sulmin e mëhershëm, thuhet se ka marrë përsipër edhe këta të fundit. Gjithçka ka ndodhur teksa një lider provincial pritet të takohet në Mogadisho me përfaqësues të qeverisë, për të gjetur një strategji të përbashkët kundër grupit terrorist.
Top Channel