Bashkia e Tiranës ka përfunduar ndërtimin e këndit të 25-të në kryeqytet, ai në sheshin “Bajram Curri”, ku më herët ka qenë një djerrinë që shërbente si parkim automjetesh.
Kryebashkiaku Erion Veliaj bëri të ditur se projekti i ndërtimit të këndeve rekreative do të vazhdojë në çdo lagje. Për këtë, kryebashkiaku ftoi edhe përfaqësitë e tjera diplomatike që nën shembullin e Ambasadës çeke, mbështetëse e këtij investimi, të kontribuojnë për ta çuar edhe më tej këtë projekt.
“Më vjen mirë që e mbyllëm këtë muaj me këndin e 25 të lojërave, për të vijuar po në këtë zonë edhe me dy-tre të tjerë, edhe me fushat e basketbollit. Jam shumë i lumtur me mënyrën se si një premtim për të bërë një kënd lojërash tek Liqeni, pastaj nga një në çdo njësi, sot i ka tejkaluar pritshmëritë tona dhe do të doja që nën shembullin e ambasadës çeke, edhe të tjerë që duan të na japin një dorë, të ndajmë kostot, gjysmën Bashkia, gjysmën donatori, e të vazhdojmë kështu”, tha Veliaj.
Investimi për jetësimin e sheshit “Bajram Curri” ka bërë të mundur rikualifikimin estetik të zonës, përmes shtimit të gjelbërimit, ndriçimit dhe ndërtimit të infrastrukturës çlodhëse për të rritur (stola, hije). Në ndërtimin e këtij sheshi është ndjekur i njëjti standard, materialet e përdorura janë të certifikuara sipas standardeve të BE-së, për të rritur sigurinë e fëmijëve që luajnë dhe për të mos veçuar qendrën nga periferia në ofrimin e shërbimeve.
Gjithashtu, një tjetër element i rëndësishëm është ndërtimi i infrastrukturës për rekreacion pasiv për të rritur, pasi shërbejnë si vende ku njerëzit komunikojnë, ndërtojnë komunitetin dhe përmirësojnë shëndetin dhe mirëqenien.
Top Channel