Lideri i shfuqizuar katalanas, Carles Puigdemont ka bërë thirrje për “rezistencë demokratike” ndaj vendimit të Madridit zyrtar.
Ai dënoi pezullimin e autonomisë së Katalonjës dhe premtoi se do të vazhdojë të punojë “për të ndërtuar një vend të lirë”.
Puigdemont e bëri apelin e tij në një fjalim televiziv të regjistruar, ku e cilësoi shpalljen e pavarësisë, të premten, si “një ditë demokratike dhe ndjeshmëri civile”.
Ai tha se, veprimet e qeverisë qenrore bien ndesh me vullnetin e shprehur nga qytetarët e “vendit të tij”, që e dinë shumë mirë se në një demokraci është parlamenti institucioni që zgjedh apo shkarkon presidentët.
Qeveria spanjolle i ka hequr Katalonjës autonominë dhe ka marrë kryesimin e qeverisë së saj. Më herët Ministria e Brendshmë në Madrid mori nën kontroll forcat katalanase të policisë, pasi shkarkoi nga detyra drejtuesit e saj.
Të premten, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy njoftoi shkrirjen e parlamentit rajonal dhe shkarkimin e Puigdemont si lider të tij, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme rajonale.
Në një buletin shtetëror, kontrolli i Katalonjës i është dorëzuar zëvendës kryeministres Soraya Saenz de Santamaria. Ndërkohë, këtë të shtunë në Madrid është mbajtur një manifestim i gjerë për “Unitetin dhe Kushtetutën e Spanjës”.
Top Channel