Brenda një muaji të gjitha pikat e karburanteve duhet të përshtasin tabelat reklamuese buzë rrugëve sipas standardeve të Kodit Rrugor.
Pas takimit me kompanitë e tregtimit të karburanteve rreth dy javë më parë, ministri i Infrastrukturës ka nxjerrë urdhrin që i detyron këto subjekte të përshtasin tabelat reklamuese, duke ulur sipërfaqen e tyre dhe i larguar nga buzët e rrugëve.
“Tablea do jetë në formë drejtëkëndore, kuadrate, jo rrethore ose trekëndore. Tabela do të jetë 6 metra katrorë si sipërfaqe reklamuese, duhet të jetë vendosur 3 metra nga karexhata e rrugës dhe lartësia e saj do të jetë 6 metra, duke filluar 1.5 m nga sipërfaqja e tokës”, deklaron Afrim Qendro, drejtor i ARRSH-së.
Njëkohësisht kërkohet që edhe ndriçimi të jetë brenda disa parametrave që të mos shpërqendrojë drejtuesit e mjeteve. Nëse tabelat nuk do hiqen pas afatit 30-ditor do të ndërhyjnë autoritetet.
Qeveria është zotuar për të pastruar brenda 100 ditëve të para akset kombëtare nga ndërhyrjet e paligjshme, të cilat janë bërë burm aksidentesh.
Aksioni ka nisur në autostradën Tiranë-Durrës, ndërkohë që aktualisht po ndërhyhet në rrugët e veriut. Këtë e gjë e ka nënvizuar edhe kryemnistri Edi Rama në Facebook, me një postim mbi ndërhyrjet që po bëhen në terren.
Top Channel