Hapen dosjet “Kennedy”

27/10/2017 09:12

Donald Trump i dha dritën jeshile publikimit “online” të 2 800 dokumenteve mbi vrasjen e John Kennedy, por jo të gjitha dosjet e fshehta do të hapen për publikun, duke ushqyer kështu në vazhdim teoritë konspirative që nuk reshtin prej vitesh.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë u dorëzua përpara presioneve të CIA-s dhe FBI-së, që argumentojnë se për arsye të sigurisë kombëtare, disa prej të dhënave duhet të mbeten sekret. Bëhet fjalë për rreth 500 dokumenta, shqyrtimi i të cilave, sipas Trump, do të kërkojë edhe të paktën 6 muaj kohë.

Vendimi i republikanit shkaktoi zhgënjim e polemika. Çfarë fshihet në këto qindra faqe të mbyllura? A nuk ishin 25 vjet një kohë e mjaftueshme për t’u përgatitur për afatin historik? Opinioni publik amerikan e meriton që qeveria e tij t’i garantojë qasjen më të madhe të mundshme në informacionin që rrethon vrasjen e Presidentit Kennedy në mënyrë që të kenë çdo të dhënë mbi aspektet e këtij eventi historik, thuhet në deklaratën e manjatit, që shton se nuk kishte pasur megjithatë zgjedhje tjetër, përveçse të pranonte propozimet e departamenteve edhe agjensisë të administratës së tij, në vend që të lejojë t’i kryhet një dëm i pakthyeshëm sigurisë kombëtare.

Historianë, gazetarë e të apasionuar pas kësaj ngjarjeje shpresojnë të gjejnë tek dokumentet e publikuara ndonjë detaj më shumë mbi udhëtimin e Lee Harvey Osvald në Mexico City, ku u takua me agjentë rusë e kubanë dy muaj përpara atentatit të Kennedy. Osvald, i cili kishte qenë i arratisur në Bashkimin Sovjetik, nuk pranoi ta kishte qëlluar Presidentin dhe dy ditë pas episodit u vra Jack Ruby, pronar i një klubi nate, duke shtuar kështu frikën se bëhej fjalë për një komplot.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA