Varësia nga qetësuesit, Trump shpall emergjencën kombëtare

26/10/2017 21:54

Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur krizën e varësisë së vendit nga qetësuesit, një emergjencë të shëndetit publik.

Trump njoftoi planin për të vënë në shënjestër abuzimin me opioidet, që iu marrin jetën më shumë se 140 amerikanëve çdo ditë. Që më herët, presidenti kishte premtuar se do të shpallte një emergjencë kombëtare, që do të lejonte përdorimin e fondeve federale në ndihmë të shteteve për të luftuar epideminë e ilaçit.

“Më shumë njerëz po humbin jetën nga mbidoza e qetësuesve, sesa nga armët e zjarrit apo aksidentet automobilistike. Këto mbidoza nxiten nga një rritje e varësisë nga qetësuesit, heroina dhe opioidet e tjera. Shtetet e Bashkuara janë konsumatori më i madh i këtyre ilaçeve dhe përdorin më shumë pilula opioidi për person, sesa çdo vend tjetër në botë”, tha Trump.

Trump nënshkroi një memorandum presidencial, që autorizon Sekretarin për Shëndetin të shpallë emergjencën publike kombëtare dhe urdhëron agjencitë federale të marrin masa për të reduktuar numrin e vdekjeve nga qetësuesit.

Urdhri do të zbusë edhe disa rregullore, me qëllim që t’u lejohet shteteve më shumë zgjedhje për të përdorur fondet federale, për të luftuar problemin. Por Shtëpia e Bardhë planifikon të financojë përpjekjen përmes fondit publik të emergjencës shëndetësore, që raportohet se ka vetëm 57 mijë dollarë.

Administratës “Trump” do t’i duhet kësisoj të punojë me Kongresin për të miratuar financime shtesë në një paketë të shpenzimeve të fundvitit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA