Xi Jinping, “Mbreti i Kinës”. Trump uron presidentin për ngritjen

26/10/2017 08:20

Xi Jinpingun, disa mund ta thërrasin tani edhe “Mbreti i Kinës”. Donald Trump nuk u mjaftua me urimet e dërguara udhëheqësit kinez për “ngritjen e tij të jashtëzakonshme” pas Kongresit të Partisë Komuniste, por e lavdëroi edhe në një intervistë televizive, njeriun që do të drejtojë vendin komunist për 5 vitet e ardhshme.

Xi e çimentoi pushtetin me konfirmimin e mandatit të ri, në atë që konsiderohet si ngjarja më e madhe politike e Kinës, si dhe faktin që nuk u përcaktua asnjë pasardhës i qartë i tij, siç ka ndodhur me udhëheqësit e mëparshëm.

Trump pritet të zhvillojë një vizitë shtetërore në Kinë muajin e ardhshëm, e aty do të ketë rastin të shtrëngojë sërish duart me presidentin kinez, të cilin e takoi edhe gjatë muajit korrik në takimin e G20-s.

Në fokusin e bisedimeve të tyre pritet të jetë Koreja e Veriut dhe tregtia, e pohuar kjo nga vetë shefi i Shtëpisë së Bardhë përmes kanalit të tij të preferuar të komunikimit, “Twitter”-it. Disa orë më vonë, Xi mori edhe urimet e kreut koreano-verior, Kim Jong-un.

Duke e përshkruar ngritjen e Xi, si një zhvillim që praktikisht nuk kishte ndodhur kurrë në Kinë, Trump e quajti presidentin kinez një “njeri të fuqishëm”, me të cilin thotë se ka “një marrëdhënie shumë të mirë”.

Kina është ekonomia e dytë më e madhe e globit, pas Amerikës, partneri i saj më i madh tregtar. Pavarësisht elozheve, mbetet fakt që marrëdhëniet dypalëshe janë tendosur nga mosmarrëveshjet e Pekinit me aleatët e Uashingtonit në Azinë Lindore, mbi territoret e pretenduara prej tij në detin e Kinës Jugore.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta