Papa Françesku u ngrit në qiell virtualisht të enjten, kur “telefonoi” në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar dhe bëri apel për mbrojtjen e planetit, pasi një astronaut tha se mund ta shihte krijimin nga perspektiva e Zotit.
Papa Françesku kaloi 20 minuta në një videotelefonatë me 6 astronautët që qëndrojnë në stacionin hapësinor, 400 km larg Tokës, duke i bërë atyre pyetje të ndryshme, ndonjëherë edhe me zellin dhe kuriozitetin e një nxënësi shkolle.
Papa u duk se u prek më shumë nga rusi Sergei Ryazanski, që foli për gjyshin e tij, dhe astronauti amerikan Randy Bresnik, që tha se pamja nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor i mundësonte atij të shihte bukurinë e papërshkrueshme të Tokës dhe të ishte më optimist për të ardhmen e njerëzimit.
“Ajo që shohim ne nga këtu është paqja dhe qetësia mbi planetin tonë, që ecën me 10 km në sekondë dhe nuk ka kufij, as konflikte. Ka vetëm paqe”, tha Randy Bresnik, astronaut.
“Ju shikoni që atje lart me sytë e Zotit. Rrënjët janë shpresa dhe fuqia jonë. Mos i harroni rrënjët. Më bëri mirë të dëgjoja këtë, e ta dëgjoja nga ju”, tha Papa Françesku.
Papa Françesku ka bërë shumë apele për mbrojtjen e ambientit në tokë, duke i dedikuar edhe një enciklikë, ose një letër të rëndësishme, mbrojtjes së saj në vitin 2015. Ky dokument mbështeste shkencëtarët, që thonë se ngrohja globale ka ardhur pjesërisht si pasojë e aktivitetit njerëzor.
Top Channel