Konferenca përmbyllëse e projektit IPA 2013 ka aprovuar propozimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa për ngritjen e një Qendre Rajonale të Bashkëpunimit Policor.
Konferenca është mbajtur në Trieste, me temë “Lufta kundër Krimit të Organizuar, Bashkëpunimi Ndërkombëtar për Drejtësi Penale, në Ballkanin Perëndimor”.
“Falë bashkëpunimit në mes vendeve tona, kemi arritur suksese në gati të gjitha drejtimet për t’i garantuar qytetarëve një siguri gjithmonë e më të madhe. Ndaj, së bashku, duhet t’i japim një impuls të ri luftës ndaj kriminalitetit dhe duhet të eksperimentojmë dhe jetësojmë modele të reja ndërveprimi midis organeve tona të policisë apo autoriteteve gjyqësore”, nënvizoi Xhafaj, para ministrave të Brendshëm të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë takim morën pjesë ministrat e Brendshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ambasadorët në këto vende, si edhe drejtuesit e Policive. Ministri i Brendshëm u shpreh në fjalën e tij se duhet të rritet efikasiteti i aktiviteteve parandaluese në luftën kundër krimit të organizuar, përmes forcimit të bashkëpunimit ndërkufitar e ndërkombëtar.
Z. Xhafaj propozoi disa nisma konkrete për bashkëpunim më të mirë rajonal, në partneritet me vendet e BE si:
– Ngritjen e Qendrës Rajonale të Bashkëpunimit Policor, për të koordinuar më mirë se deri tani shkëmbimin e informacionit, për çështje të luftës kundër krimit të organizuar në tërësi dhe me fokus të drejtëpërdrejtë krimin ndërkufitar, luftën kundër trafikut të drogës, migracionin e paligjshëm. Ky propozim u adoptua në projektin ‘IPA 2017’.
– Krijimin e Data-Base të përbashkët, që do të ndihmonte në shkëmbimin më të mirë të informacionit;
– Ngritjen e grupeve të përbashkëta të hetimit policor, të elementëve dhe grupeve kriminale.
Ministri i Brendshëm falënderoi në mënyrë të veçantë qeverinë italiane për patronazhin teknik mbi projektin ‘IPA 2013’ dhe shprehu vullnetin e plotë për bashkëpunim në vazhdimësi.
Në fund të fjalës së tij, ministri i Brendshëm italian Marco Minniti vlerësoi propozimin e ministrit shqiptar Xhafaj dhe theksoi se do të jetë një nga shtyllat kryesore të projektit ‘IPA 2017’.
Top Channel