Kryeprokurori Ardiatik Llalla ka deklaruar se Antimafia italiane ka treguar lidhjet mes grupeve kriminale shqiptare që trafikojnë drogë në Itali dhe atyre që kanë për detyrë t’i ndalojnë.
“Hetimet e Antimafias italiane kanë siguruar të dhëna se grupe kriminale shqiptare kanë trafikuar tonelata me kanabis dhe në shumë raste të tjera e kanë bërë këtë në bashkëpunim me ata që kanë për detyrë të godasin këtë krim të rëndë”, ka deklaruar Llalla.
Kryeprokurori iu shmang direkt përmendjes së çështjes së deputetit Tahiri, për të cilin Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin. Por ai paraqiti ankesë për punën e organeve të tjera shtetërore në luftën kundër drogës dhe veçanërisht kanabisit. Një ankesë kryeprokurori e ka patur për policinë.
“Gjithashtu është e rëndësishme që të sigurohen kufijtë me mjetet që janë në përdorim për të siguruar zbulimin në kohë të trafikut. Faktet tregojnë se këto institucione nuk kanë përmbushur në menyre korrekte detyrën e tyre”, ka thënë Llalla.
Sërish pa referenca kryeprokurori ka folur për ndarjen e pushteteve. “E rëndësishme është që prokurorët të punojnë të pafrikësuar edhe për rastet kur bëhet fjalë për zyrtarë të lartë”, ka shtuar Llalla.
Top Channel