“Guida Studentore”, Mazniku: Po punojmë për Kartën e Qytetit

24/10/2017 15:12

“Guida studentore” e prezantuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj në nisjen e vitit të ri akademik është promovuar me anë të libërthit me informacione utilitare, nga nënkryetari Arbjan Mazniku për të gjithë studentët e sapoardhur.

Ai ishte në fakultetin e Shkencave Sociale ku tha se bashkia po punon për kartën e Qytetit, pjesë e së cilës do të jetë dhe Karta e Studentit. Kjo kartë ofron paketë shërbimesh dhe çmime të lira.

“Jemi duke punuar për Kartën e Qytetit. Një nga elementët kryesorë që do të kryejë kjo kartë është të shërbejë si një biletë permanente. Pra, do të kalojmë të gjitha linjat e autobusit në Tiranë, në linja që do të jenë të pagueshme përmes një bilete elektronike. Do të përfundojmë procesin e biletimit elektronik, nga i cili do të prodhohet “Kartat e Qytetit”, që më pas do të përfshijë edhe Kartën e Studentit. Shërbimet që do të ofrohen me këtë kartë do jenë më të lira dhe të përcaktuara për studentët”, tha Mazniku.

Nënkryetari i bashkisë vlerësoi se Guida Studentore ndihmon të rinjtë që të njihen me të gjitha aktivitetet apo shërbimet që ofron kryeqyteti shqiptar.

“Kapitulli i parë flet për transportin publik, me të gjitha linjat e autobusëve. Pjesa e dytë ka të bëjë me akomodimin në qytet dhe procedurat për regjistrimin në rezidencat studentore; si funksionojnë, ku janë godinat, si funksionon struktura e brendshme dhe çfarë shërbimesh ofrohen. Elementi i tretë ka disa informacione bazike për urgjencat mjekësore, zjarrfikëset, policinë etj”, tha ai.

Në qytetin e Tiranës ka një numër të madh bibliotekash nëpër lagje të cilat mund të përdoren edhe si qendra multifunksionale për aktivitete të ndryshme rinore, që janë të përfshira në guidë. Çdo vit në qytetin e Tiranës fillojnë studimet mbi 10.000 studentë në degë të ndryshme. Duke vlerësuar mbështetjen për të rinjtë si një ndër prioritetet kryesore të punës së saj, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë nismash për ofrimin e shërbimeve për nxënësit dhe studentët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA