Cilësia e mësuesve, më të mirët në Berat

24/10/2017 19:57

Përmes një raporti kombëtar mbi identifikimin e nevojave të mësuesve, Ministria e Arsimit ka gati hartën e parë për fushat ku mësuesit kanë mangësi dhe që duhen trajnuar në vazhdim.

“Femrat kanë marrë më shumë pikë se meshkujt, mësuesit me të vjetër kanë rezultate më të mira se të rinjtë. Nuk ka diferencë mes mësuesve që punojnë në fshat dhe në qytet. Raporti çmitizon paragjykimin që ata që mësojnë në fshat janë më pak të kualifikuar. Rezultatet më të larta i kanë shënuar mësuesit e Beratit”, shprehet Gert Janaqi, drejtor i IZHA.

Nëse mësuesit e Beratit janë të parët, të dytët, sipas raportit, janë mësuesit e Shkodrës, për nivelin e njohurive në planifikim, mësimdhënie, etikë dhe komunikimi, dhe zhvillimi profesional. Mësuesit e Tiranës listohen të tretët, duke lënë pas Korçën, Fierin, Gjirokastrën, Durrësin, Lezhën, Elbasanin, Vlorën, Kukësin, ndërsa mësuesit më të dobët janë ata të Dibrës. Po, ku do të ofrohen trajnimet dhe sa do të jetë kostoja e tyre?

“Fakultetet e edukimit ata që prodhojnë sot mësues do ofrojnë licencim dhe do të ofrojnë trajnim sipas nevojës edhe duke reformuar kurrikulat e tyre, nga ana tjetër gjithë agjencitë që do akreditohen edhe trupat akademike të MAS tashmë kanë një databazë të plotë të moduleve që ata mund të ofrojnë sipas nevojës”, thotë Janaqi.

Sipas raportit, mësuesit më të dobët në 38 drejtoritë dhe zyrat arsimore janë ata të profilit artistik në shkollat social-kulturore. Drejtuesit e shkollave kanë nevojë për trajnime të formimit të përgjithshëm, jo vetëm si mësues, por edhe si drejtues.

Ministria e Arsimit thotë se pjesëmarrja në trajnime është detyrim ligjor. Ata që nuk trajnohen përjashtohen nga testi i kualifikimit, për rrjedhojë edhe nga shtesa e pagës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA