Japoni, Abe fiton zgjedhjet

23/10/2017 09:37

Manovra e tij politike rezultoi e suksesshme dhe kryeministri japonez Shinzo Abe duket se është fituesi i qartë i zgjedhjeve të përgjithshme të së dielës.

Ishte ai vetë që i kërkoi zgjedhjet e parakohshme me shpresën të siguronte një mandat më të fuqishëm për reforma e për t’u përballur me krizat në vend, përfshirë rrezikun në rritje nga Peniani. Mediat japoneze thonë se koalicioni qeverisës i Abes ka marrë dy të tretat e vendeve në Parlament, çka i jep dorë të lirë për të amenduar Kushtetutën pacifiste të pasluftës. Premtimi i parë i tij në vazhdën e triumfit në zgjedhje ishte të merrej me Korenë e Veriut.

“Siç u zotova gjatë fushatës, detyra ime më urgjente është menaxhimi i situatës me Penianin. Për këtë nevojitet një diplomaci e fortë. Bëhet fjalë për një krizë kombëtare e cila nuk pret”, tha Abe.

Ekspertët mendojnë se fitorja e kryeministrit i detyrohet në një farë mase Koresë së Veriut. Vetëm dy muaj më parë, popullariteti i tij kishte marrë të tatëpjetën pas përfshirjes në dy skandale politike, por gjithçka ndryshoi pas dy raketave që vendi komunist lëshoi drejt ishullit të Hokaidos kohët e fundit. Sondazhet tregojnë se votuesit e konsideruan qeverinë e Abes si zgjedhjen më të sigurtë, ndërsa vendi përballet me shqetësimin bërthamor të fqinjit problematik.

Fitorja në zgjedhjet e parakohshme, me shumë gjasë do t’i sigurojë Abes edhe një mandat tjetër 3-vjeçar, si kreu i koalicionit, duke e bërë atë udhëheqësin japonez që ka shërbyer më gjatë në këtë post.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA