Pesë grupet më të mëdha të lobimit për bizneset në Britani po bëjnë thirrje për një marrëveshje urgjente për “Brexit”, përndryshe Britania rrezikon që të humbasë vende pune dhe investime.
Përmes një letre të përbashkët, që pritet t’ia dërgojnë Sekretarit për “Brexit”, David Davis, këto grupe, ku përfshihet Instituti i Drejtorëve dhe “CBI”, ato thonë se koha po mbaron.
BBC shkruan se letra e tyre është ende një “draft”, por pritet të dërgohet për një apo dy ditë. Grupet e tjera lobiste, që mbështesin letrën, janë Dhoma Britanike e Tregtisë, Federata e Bizneseve të Vogla dhe organizmi prodhues “EEF”.
Së bashku, këto punësojnë miliona njerëz.
Prej kohësh, bizneset janë mjaft në ankth për mungesën e progresit në negociata për “Brexit” dhe këtë shqetësim e shprehin hapur në letër, ku shprehet dëshira e tyre për një marrëveshje, e mbi të gjitha qartësi.
Sipas firmëtarëve të letrës, duhet një marrëveshje e shpejtë për periudhën e tranzicionit, pasi kompanitë po përgatiten të marrin vendime serioze në fillim të vitit 2018, e këto do të kenë pasoja për vendet e punës dhe investimet në Britani.
BBC raporton se grupet e biznesit duan që përmbajtja e letrës të mbetet private, por mediet britanike kanë mundur të zbulojnë pjesë të saj.
Top Channel