Ndërtimet pa leje në parkun e Liqenit Artificial, një zonë që më parë administrohej nga ish-Komuna Farkë, do të prishen.
Bashkia e Tiranës ka nisur fazën e parë të mbjelljeve për projektin e Pyllit Orbital.
“Kanë edhe dy javë afat për t’u larguar vetë, në të kundërt do të jetë bashkia ajo që do të ndërhyjë. “Deri në fund të tetorit është afati për prishjen vullnetare të ndërtimeve pa leje në pjesën jugore të Liqenit, që ka qenë pjesë e ish-komunës Farkë. Nën drejtimin e administratorit, aty do të vazhdojmë një proces gjelbërimi”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës mori pjesë në mbjelljen e 150 pemëve pranë Liqenit të Thatë, në pjesën jugore të parkut: “Po fillojmë me 150 mbjelljet e para për të vijuar me planin e Pyllit Orbital, të cilin do ta bëjmë publik brenda vitit. Mandej, do të fillojmë mbjelljet masive për t’u siguruar që pavarësisht kush është në drejtimin e bashkisë, t’i kemi lënë një pajë gjeneratës tjetër, çka besoj se do të rrisë ndjeshëm cilësinë e jetesës në qytetin e Tiranës”.
Në periudhën vjeshtë-dimër, kryetari i bashkisë ka planifikuar të mbillen aq pemë sa të krijohet gjurma e Pyllit Orbital: “Dua që t’i ftoj të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë, të na japin pemë. Sot, një makinë prodhon toksina, prodhon helme, dioksid karboni, të cilat mund të zerohen vetëm me mbjelljen e 2 pemëve. Pra, një biznes që ka 50 makina, mjafton t’i dhurojë qytetit 100 pemë dhe ka zeruar të gjithë impaktin që ka me dioksidin e karbonit në qytet”.
Top Channel