Itali, në Lombardi dhe Veneto votohet për autonomi

22/10/2017 20:02

Pas Spanjës edhe Italia përballet me krizën e referendumeve pasi dy rajonet më të pasura të saj, Lombardia dhe Veneto po votojnë për të fituar më shumë autonomi.

Lombardia, që ka edhe kryeqytetin financiar të Italisë, Milanon, dhe rajoni i Venetos, përreth Venecias, janë përgjegjëse për 30 për qind të pasurisë së vendit.

Referendumet u organizuan nga dy liderët rajonal, Roberto Maroni i Lombardisë dhe Luca Zaia i Venetos. Sipas tyre veriu po paguan edhe për jugun e varfër.

Një votë pro pritet në të dyja proceset por rezultatet nuk janë të detyrueshme. Megjithatë fitorja e “Po-së” do t’u jepte presidenteve të rajoneve më shumë fuqi, të tilla si pozita më të favorshme në negociatat për çështjen e taksave e gjithashtu marrje të përgjegjësive nga Roma.

Të dyja rajonet udhëhiqen nga liga veriore, anti-emigrantëve dhe anti-europiane. Mediat italiane raportojnë se deri në 12:00 të drekës pjesëmarrja në Veneto ishte 21.1 përqind. Në mënyrë që votimi të jetë i vlefshëm duhet të arrihet kuorumi, 50 përqind plus një e sipas parashikimeve pjesëmarrja pritet ta kaloje 60 përqindëshin.

11.6 ishte pjesëmarrja ne Lombardi në 5 orët e para të votimit e megjithatë atje kuorumi nuk është i nevojshëm. Në këtë rajon debuton për herë të parë votimi elektronik që shkaktoi disa polemika.

Në fakt, metoda e re solli vonesa në njoftimin e të dhënave të para për nivelin e pjesëmarrjes. Deri në mesditë krahinat më aktive ishin Trevizo dhe Bergamo ku pjesëmarrja ishte më e lartë se në zonat e tjera Qendrat e votimi u hapën ne 07:00 të mëngjesit e do të mbyllen ne 23:00 të natës.

Qytetarët e thirrur për të thënë fjalën e tyre mbi autonominë janë 12 milionë, 7.9 në Lombardi e 4 milionë në Veneto.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA