Veliaj në Poloni: Tirana, model për shërbimin social për qytetarët

21/10/2017 12:59

Kryebashkiaku Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë dy ditore në Poloni me ftesë të kryebashkiakes së Varshavës, dhe Presidentit të Zonës Metropolitane të Barcelonës, ku mori pjesë në forumin e Autoriteteve Metropolitane nga qytetet kryesore të Europës për të diskutuar mbi qëllimet dhe sfidat e përbashkëta.

Në fjalën e tij Veliaj prezantoi arritjet e Bashkise se Tiranës, e cila falë reformës administrative ka mundur t’i japë vëmendjen e duhur dhe të realizojë një sërë investimesh të rëndësishme edhe në zonat rurale.

“Kuptuam se në një vend të vogël me 3 milionë banorë nuk mund të kishim 400 komuna e bashki. Ishte jo efiçente, për të ndërtuar një rrugë nga mbledhja e taksave në një komunë të vogël duheshin 15 apo 16 vjet. Ndaj, vendosëm ta rikonceptonim zonën metropolitane në bashki më të mëdha, ku kryebashkiaku i zgjedhur, si në rastin tim, zgjedh administratorët që administrojnë zona të vogla, të cilët ofrojnë shërbime, por kanë një rol edhe në marrjen e vendimeve”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se një nga sfidat më të mëdha për qytetin është shtimi i perditshem i popullsise dhe nevoja për të ofruar shërbime sociale për qytetarët.

“Mendoj se ka një trend pozitiv; rrugët rurale të periferisë apo zonat periurbane, të cilave nuk iu kushtohej aspak vëmendje, po përfitojnë përmes planifikimit të një skeme të madhe. Pra, mund të përcaktojmë politika më të mira bujqësore, sistemi ynë i edukimit është më shumë i barabartë, kemi disa përmirësime në të gjithë territorin. Mendoj se çështjet e transportit, të shërbimeve sociale, çështjet e strehimit social që kanë marrë një shtrirje të gjerë, padyshim ishin një mënyrë për t’iu përgjigjur kësaj zhvendosje demografike, e cila nuk përballohet ndryshe”,  vijoi ai.

Gjatë punimeve të këtij Forumi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme me drejtues të Pushtetit Lokal nga qytetet kryesore të Europës për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA