Reagon Prokuroria: Janë publikuar “sekrete” për Tahirin

21/10/2017 21:55

Prokuroria për Krimet e Rënda, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të mandateve për ish-ministrin Tahiri, është e shqetësuar për vijimin e procesit.

Madje në një deklaratë të publikuar në mbrëmjen e kësaj të shtune ajo jep alarmin se nxjerrja e sekretit hetimor vë në rrezik serioz të personave që kanë dijeni për rrethanat e hetimit për grupin e strukturuar kriminal e me rrezikshmëri të lartë shoqërore si edhe intimidon e cenon integritetin fizik të këtyre personave.

“Disa nga personat në hetim janë në kërkim. Ata qëndrojnë të fshehur dhe rezulton se ende nuk ka asnjë rezultat për kapjen dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, e për këtë arsye, ata përbëjnë rrezik serioz për jetën e personave që kanë dijeni për veprën penale”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj, tërhoqi vëmendjen e Këshillit për të ruajtur sekretin e të dhënave hetimore. Por, pavarësisht se materialet, të konsideruara sekret hetimor u paraqitën pas nënshkrimit të deklaratës përkatëse për “ruajtjen e sekretit hetimor” nga ana e anëtarëve të Këshillit, sërish rezulton se të dhëna të ndryshme janë bërë publike.

Prokuroria nuk përmend emra të personave që kanë nxjerrë sekretin edhe pse qartësisht bëhet fjalë për pjesëmarrësit në mbledhjen e këshillit të mandateve dhe u kujton atyre se nxjerrja e sekretit hetimor përbën vepër penale dhe ndëshkohet sipas parashikimeve ligjore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA