“Fiks Fare”, sekuestroja e regjistrit të minierës lë pa pension 68-vjeçarin

20/10/2017 20:35

Në emisionin “Fiks Fare” ka mbërritur një denoncim nga qytetari Kurt Muçalla, sipas të cilit ai nuk merr pensionin prej 2 vite e 8 muajsh, për shkak të një regjistri të sekuestruar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Kurt Muçalla ka filluar punë si minator në minierën e qymyrgurit “Mushqeta” nga viti 1975 deri në vitin 1994. Më pas, në vitet 1994-1996 është trajtuar me asistencë. Në vitet 2000-2015 është trajtuar me pension të parakohshëm.

Më 1 mars të vitit 2015, Muçalla ka mbushur moshën e pensionit dhe aty ka hasur problemin, ku për gati 3 vite nuk ka marrë dot lekët që atij i takojnë. Në vitin 2010, nga Prokuroria e Tiranës është sekuestruar regjistri nr. 3 i minierës “Mushqeta” për efekt prove në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, në ngarkim të shtetasit Musa Rama. Prej 7 vitesh, ky regjistër është kërkuar me shkresa zyrtare nga qytetari dhe nga DRSSH për kthimin e tij, në mënyrë që qytetarit t’i mundësojë të drejtën e tij.

Pas kërkesës nga emisioni “Fiks Fare”, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë i ka kthyer një përgjigje qytetarit Kurt Muçalla. Sipas saj, regjistri është sekuestruar në vitin 2010 në ngarkim të të pandehurit Musa Rama, ish-punonjës në minierën “Mushqeta”.

Nga verifikimet rezulton se, Gjykata e Tiranës ka dënuar me vendim të formës së prerë shtetasin Musa Rama, nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Ajo ka vendosur që të shkatërrohen provat e falsifikuara, ndërsa provat e tjera të pafalsifikuara t’i kthehen DRSSH-së. Të falsifikuara rezultojnë regjistri nr.3 i minierës “Mushqeta”, në faqen 3 paragrafi i fundit dhe faqen 4 paragrafi i parë.

Pas përgjigjes së Prokurorisë, emisioni “Fiks Fare” iu drejtua Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për të verifikuar nëse ky regjistër ishte rikthyer. Sipas kryetares së degës së përfitimeve pranë DRSSH-së, Anila Take, ky regjistër ende nuk është në institucionin e tyre. Ajo shprehet se qytetari ka të drejtën e tij që të marrë pensionin, pasi me dokumentacionin është krejtësisht në rregull. Ajo pohon se ky institucion nuk mund t’ia lidhë pensionin pa pasur regjistrin e minierës “Mushqeta”.

DRSSH i ka bërë disa herë shkresa Prokurorisë për kthimin e regjistrit dhe nuk kanë marrë asnjëherë përgjigje. Take shpjegon arsyen e sekuestrimit të regjistrit nga ana e Prokurorisë, por nuk di arsyen pse nuk po kthehet ky regjistër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA