Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shërbyer drekën ndaj njerëzve në nevojë në kuadër të ditës së lumturimit të Nënë Terezës. Ai shoqërohej dhe nga këngëtari i njohur Noizy.
Ata kanë qënë në një nga 7 qendrat sociale të bashkisë, “Të qëndrojmë së bashku”, në Kombinat.
Veliaj theksoi se vepra e Nënë Terezës, na frymëzon për më shumë dashuri ndaj atyre që janë në vështirësi. “Jam shumë i lumtur që jam sot bashkë me Noizyn në ditën e Nënë Terezës, për t’u shërbyer atyre që nuk kanë të gjitha mundësitë që ndoshta ka shumica e Tiranës, që janë të moshuar dhe fëmijët i kanë larg. Në ditën e Nënë Terezës, mënyra më e mirë për ta përkujtuar atë është duke u shërbyer atyre që janë më nevojtarë. Sot bëmë diçka të vogël me dashuri të madhe, që shpresoj se do të kopjohet nga të gjithë. Besoj se kjo energji dhe kjo dashuri që na frymëzon vepra e Nënë Terezës, të lërë një impakt në qytetin tonë dhe në çdo cep të Tiranës ku ka nevojë për më shumë solidaritet”, tha Veliaj.
Bashkia e Tiranës ka ngritur aktualisht 7 qendra sociale ku ofrohet një vakt i ngrohtë dhe kujdes shëndetësor.
“Kemi 7 qendra sociale ku shërbejmë ushqim, ku kemi kujdes shëndetësor, kujdes psikologjik dhe për të gjithë ata njerëz që e kuptojnë që në Shqipëri jo çdo gjë është perfekte kanë një mundësi konkrete se si mund të shërbejnë dhe se si mund të kontribuojnë”, shtoi Veliaj.
Nëpërmjet programeve të ndryshme sociale, Bashkia Tiranë, ofron një paketë të kompletuar shërbimesh në mbështetje të gjithë atyre personave që janë në vështirësi. Përmes mensave sociale, që janë kthyer në një vatër familjare dhe të shpresës, ofrohet një vakt i ngrohtë, në veçanti për të pastrehët, të moshuarit e vetmuar apo për familjet me të ardhura minimale etj. Gjithashtu, qendrat sociale të ngritura në zona të ndryshme të kryeqytetit, ofrohet edhe këshillim ligjor dhe psiko-social për këdo.
Top Channel