Komisionerja europiane e Ekonomisë Dixhitale dhe Shoqërisë, Mariya Gabriel, ka kërkuar shërbimet e komisionit për zhvillimin e një udhërrëfyesi drejt uljes së tarifave “roaming” mes vendeve të Bashkimit Europian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.
Një zëdhënës i KE-së e konfirmoi lajmin për Birn. Gabriel ishte e para që e njoftoi këtë iniciativë të mërkurën, gjatë një takimi pune me ambasadorë të bllokut europian në 6 vende të rajonit, duke shtuar se ndërveprimi dixhital në Ballkan është një nga prioritetet e saj. Komisioni i ka inkurajuar me kohë operatorët e telefonisë së lëvizshme t’i afrojnë tarifat e tyre “roaming” në linjë me kostot e fluksit ndërkufitar të të dhënave në rajon, citohet të ketë thënë zëdhënësi. por sërish nuk pati një koment mbi kornizën e mundshme kohore se kur mund të ndodhë reduktimi i tarifave.
Në rastin e vendeve të zonës së bashkëpunimit ekonomik europian, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtjen, procesi zgjati 10 vjet. Fundi i tarifave shtesë të “roaming”-ut për komunikimet e lëvizshme brenda zonës në fjalë dhe vetë Bashkimit Europian erdhi 15 qershorin e këtij viti dhe u kremtua si sukses në historinë e të drejtave të konsumatorit. Ai u pasua megjithatë shumë shpejt nga thirrjet e vendeve ballkanike kandidate në BE për shtrirjen e rregullave të ashtëquajturit “roaming si në shtëpi”, në mënyrë që të përfshinin edhe rajonin.
Top Channel