“Audi” tjetër shkrin kryepolicët në Elbasan. Në krye Altin Qato

19/10/2017 18:21

Në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, askush nuk kishte dijeni për shkarkimet masive para kësaj të enjteje.

Ngjarja e 18 shtatorit “ishte harruar”, por koha prej një muaji i ka mjaftuar kupolës drejtuese të uniformave blu të “shkrijë” zinxhirin drejtues në këtë qark të rëndësishëm.

Plot 12 policë u shkarkuan nga detyra, mes tyre edhe drejtori i qarkut, Arben Dashi, si dhe zv.drejtori Gjergji Oshafi. Ky i fundit ishte i pranishëm mbrëmjen e 18 shtatorit, gjatë përplasjes me Audin e blinduar pranë tregut ushqimor.

Në listën e të larguarve janë edhe shefi i Rendit, shefi i Krimeve të Rënda, si dhe shefi i Komisariatit. Sipas kryepolicit Haki Çako, mosveprimi i tyre solli që të dyshuarit të largohen dhe kësisoj operacioni të dështonte.

“Dëshmia që u përcoll në opinionin publik e forcave policore, që vëzhgonin të dyshuarit teksa largoheshin, madje dhe goditeshin prej tyre pa marrë asnjë kundërpërgjigje, ishte shokuese”, tha Haki Çako, kreu i Policisë së Shtetit.

Për të asgjësuar çdo rrjet kriminal që vepron në Elbasan, Çako tha se ka komanduar në krye të kësaj drejtorie Altin Qaton, i cili mban edhe detyrën e Drejtorit të Departamentit për Rendin dhe Sigurinë.

“Policia e Shtetit është e vendosur për një luftë pa kompromis ndaj çdo shkelësi të ligjit, grupeve kriminale, apo çdokujt që cënon sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve. Deri tani janë sekuestruar rreth 35 milionë euro pasuri kriminale në një periudhë 9-mujore, nje shifër rekord për Policinë e Shtetit”, tha më tej Çako.

I pyetur nga Top Channel mbi ngjarjet kriminale të pazbardhura në Lushnje dhe Vlorë, Çako pohoi se edhe në këto qarqe do të ketë shkarkime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA