Një ditë më parë, Greqia dhe FMN kanë rënë dakord se zbatimi i marrëveshjes për lehtësimin e borxhit grek është me rëndësi thelbësore dhe se Athina duhet të përfundojë sa më shpejt vlerësimin e tretë të reformave të saj.
Një ditë më pas, edhe presidenti amerikan, që ka pritur kryeministrin grek në Shtëpinë e Bardhë ka theksuar mbështetjen e Uashingtonit për një lehtësim të besueshëm të borxhit grek, duke vënë në dukje se Greqia ofron “mundësi të jashtëzakonshme për investimet amerikane”.
Trump ka falënderuar grekët për bazën amerikane të Sudes, në Kretë, si dhe për faktin që Greqia është nga ato pak anëtare të NATO-s që paguajnë 2% të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes, si dhe për një marrëveshje të mundshme me Athinën prej 2.4 miliardë eurosh për përmirësimin e flotës së avionëve luftarakë grekë “F16”.
“Greqia ka kaluar shumë në vitet e fundit, por ajo po bën një përpjekje kolosale për t’u rimëkëmbur. Ne po punojmë me grekët për shumë gjëra të ndryshme. Ata po përmirësojnë flotën e tyre, kanë avionë, kanë F-16, i cili është një avion i frikshëm. Ata po bëjnë përmirësime të mëdha dhe ne po bëjmë tregti me Greqinë. Pas këtij takimi do të kemi edhe takime të tjera”, tha Donald Trump, president i Amerikës.
Nga ana e tij, kryeminsitri Tsipras ka theksuar interesat e përbashkëta mes SHBA dhe Greqisë, si dhe bashkëpunimin strategjik që mbështetet në respektin reciprok dhe nxit mbështetjen amerikane për daljen e Greqisë nga kriza.
“Mendoj se ky është një moment shumë i rëndësishëm për bashkëpunimin tonë strategjik. Unë jam i sigurtë se, ne do të bëjmë gjithçka në mënyrë që të përmirësojmë këtë bashkëpunim. Greqia është një partner strategjik në një rajon shumë të ndjeshëm. Por ne, në çdo kohë kemi qenë një partner i besueshëm për Shtetet e Bashkuara”, tha kryeministri grek Alexis Tsipras.
Në konferencën e përbashkët, Donald Trump ka theksuar gjithashtu se takimi me kryeministrin grek ka qenë tepër frytdhënës dhe konstruktiv, sidomos në çështjet që i përkasin energjisë, mbrojtjes, zhvillimeve rajonale dhe tregtisë.
Në programin e kreut të qeverisë greke në SHBA kanë qenë edhe takime me senatorë dhe biznesmenë amerikanë.
Top Channel